Programi “Siguria në Shtëpi”, pjesë e planit të përgjithshëm vjetor të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës të ANTEA Cement u zhvillua nga muaji Tetor 2019 deri në Shkurt 2020 me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të fshatrave përreth fabrikës. Programi iu ofrua rreth 580 nxënësve të shkollave të komunitetit lokal të fshatrave Borizanë, Thumanë, Fushë Mamurras dhe Shpërdhet, të cilët morën pjesë në sesionet edukuese të zhvilluara në bashkëpunim me organizatën partnere SSC DDAER.
Qëllimi i këtij programi, është të krijojë një kulture ndërgjegjësimi dhe edukimi për sigurinë e fëmijëve në ambientet e shtëpisë dhe shkollës duke përfshirë fëmijë nga mosha tre deri në dhejtë  vjeç. Programi është ndarë në sesione informuese dhe ndërgjegjësuese me mësime interaktive dhe alternative për nxënësit e ciklit të ulët, parashkollor, dhe kopshtet duke ndërthurur materialet informative me lojëra të ndryshme dhe materiale këshilluese me prezantime të pasura me figura dhe video edukuese. Drejtori i ANTEAs për Shëndetit dhe Sigurisë ishte i pranishëm dhe zhvilloi bashkëbisedime edukuese për sigurinë me nxënësit e shkollave të komunitetit lokal, duke u fokusuar tek rëndësia e “parandalimit”.
Një nga objektivat e këtij programi ishte të mundësonte rritjen e vigjilencës dhe inteligjencës tek fëmijët përpara rreziqeve që mund të hasin përgjatë aktiviteteve që kryejnë si dhe të rrisë aftësinë e tyre vetjake për të parandaluar rreziqet e mundshme. Prindërit dhe mësuesit që morën pjesë në sesionet informuese u pajisën me manualët e sigurisë të përgatitur enkas për këtë program. Drejtorit e shkollave e vlerësuan nismën dhe programin si të dobishëm në ambientin ku jetojmë dhe pohuan që aktivitete të tilla janë të nevojshme për të zhvilluar dhe nxitur njohuritë e nxënësve më tej.
Paçka situatës së krijuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, i cili krijoi jo pak probleme në zonë, ky program pati vijueshmëri dhe u pa si një mundësi e mirë që fëmijët e shkollave të zonës të kishin disa orë argëtuese në praninë e ekspertëve të sigurisë.